Në vazhdën e takimeve në SHBA, Kryetari i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj së bashku me drejtorin e SH.P.K Komunale Tuz, Nikollë Camaj, zhvilluan sot një takim me z.Bryan Barnnet, majorin e Rochester Hills, komunë kjo e binjakizuar me Komunën e Tuzit. Gjeloshaj theksoi se Barnnet është një mik i dëshmuar i komunitetit shqiptar që jetojnë në këtë vend e sidomos i shqiptarëve që emigruan nga Mali i Zi. Gjatë këtij takimi u veçua mungesa e bashkëpunimit me Komunën e Tuzit për 10 vitet e kaluara, si shkak i moskordinimit të pushtetit të kaluar. Por që nga sot ajo do të ndryshojë me rifillimin e një bashkëpunimi të ngushtë që e kishim filluar kur Barnnet kishte vizituar Tuzin. Barnnet u shpreh më se i kënaqur për këtë takim dhe potencoi angazhimin maksimal në avancimin e kuadrove si dhe bashkëpunim ekonomik që Komuna e Tuzit të jetë shembull i zhvillimit edhe për komunat tjera në Mal të Zi. Ai po ashtu shprehi gatishmëri për të ndihmuar Komunën tonë, përmes Unionit të komunave amerikane, ku Barnnet është kryetar. Në fund të takimit, kryetari Gjeloshaj potencoi rëndësinë dhe vullnetin që Komunën më të re ta shëndrrojmë në model të komunave amerikane në Mal të Zi, përmes bashkëpunimit dhe shkëmbimit të eksperiencës me z. Barnnet. Në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e diasporës, Ruzhdi Gjokaj, Prenk Ivezaj dhe Nikollas Sinishtaj.