Pas kryesimit me Këshillin e Bashkimit Evropian, Austria do të japë mbështetje maksimale për përpjekjet e pranimit të Malit të Zi, deklaroi ambasadorja e atij shteti në Podgoricë, Ana Jankoviq.
Ajo shtoi se Bashkimi Evropian vlerëson lartë modernizimin dhe demokratizimin në Mal të Zi dhe politikën e fqinjësisë së mirë. Jankoviq, gjatë takimit me Kryetarin e Kuvendit të MZ, Ivan Brajoviq dhe shefat e misioneve diplomatike në Podgoricë, tha se perspektiva evropiane e Malit të Zi dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor është më e mirë se kurrë.
Sipas Jankoviq, ky vit ishte i rëndësishëm dhe i suksesshëm për Malin e Zi, Austrinë dhe për marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve.Ajo tha se që nga fillimi i këtij viti ka pasur një dinamikë të re në bashkëpunim midis Austrisë dhe Bashkimit Evropian me rajonin. Sipas Jankoviq, Samiti i Ballkanit Perëndimor i mbajtur në Sofje, Konkluzionet e Këshillit mbi Procesin e Zgjerimit dhe Samitin e zhvilluar në Londër në kuadër të Procesit të Berlinit, përmbajnë angazhim të qartë politik të BE-së, lidhur me zgjerimin e BE-së.
Ajo tha se Mali i Zi duhet të përdorë këtë moment dhe me entuziazëm dhe angazhim të plotë, ti përkushtohet reformave të nevojshme.