Sipas një raporti të lëshuar së fundmi, numri i vdekjeve të lidhura me nxehtësinë është rritur me 63 për qind që nga viti 1990, duke arritur në rreth 546 mijë në vit, transmeton Anadolu.
Raporti, i publikuar nga revista “Lancet” mbi shëndetin dhe ndryshimet klimatike, zbuloi se 84 për qind e ditëve me valë të nxehtësisë që kërcënojnë jetën, të regjistruara midis viteve 2020 dhe 2024, nuk do të kishin ndodhur pa ndryshimet klimatike. Foshnjat dhe të rriturit mbi 65-vjeç mbeten më të prekshmit.
Raporti tha se ekspozimi ndaj nxehtësisë çoi në një humbje rekord prej 639 miliardë orë pune në të gjithë botën, përkatësisht rreth 98 për qind më shumë se mesatarja e viteve 1990, duke rezultuar në një goditje të vlerësuar prej 1.09 trilionë dollarësh për ekonominë globale ose rreth 1 për qind të prodhimit bruto të brendshëm global.
“Kërcënimet shëndetësore të ndryshimeve klimatike kanë arritur nivele të papara”, tha raporti i këtij viti, duke shtuar se ndryshimi i klimës po “destabilizon sistemet planetare dhe kushtet mjedisore nga të cilat varet jeta njerëzore”.
Përveç vdekjeve të lidhura me nxehtësinë, raporti e shoqëroi edhe ekspozimin ndaj tymit nga zjarret me një rekord prej 154 mijë vdekjesh vitin e kaluar. Raporti paralajmëroi se potenciali mesatar global i transmetimit të dengës, një infeksion viral i përhapur nga mushkonjat, gjithashtu është rritur me 49 për qind që nga vitet 1950.
Ndotja e ajrit nga djegia e lëndëve djegëse fosile, theksoi më tej raporti, shkakton rreth 2.5 milionë vdekje për çdo vit. Të dhënat e fundit, nga viti 2023 zbulojnë se emetimet e gjeneruara për shkak të energjisë u rritën me 1.6 për qind në nivele rekord dhe humbja globale e mbulesës së pemëve u rrit me 24 për qind, duke shkuar në mbi 28 milionë hektarë.
Në vitin 2024, temperaturat mesatare vjetore globale të sipërfaqes tejkaluan nivelet para-industriale me mbi 1.5 gradë Celsius, ndërsa dekada e kaluar ishte më e nxehtë e regjistruar ndonjëherë.
I publikuar pak para bisedimeve klimatike COP30 të OKB-së në Brazil, raporti i revistës shëndetësore bëri thirrje për investime më të mëdha në energjinë me zero karbon, infrastrukturën rezistente ndaj klimës dhe planifikimin e përmirësuar për ndikimet shëndetësore.
Autorët kritikuan ashpër vendimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për të tërhequr vendin e tij nga programet ndërkombëtare të ndihmës dhe iniciativat klimatike. “Përmbysja e këtyre politikave të dëmshme dhe avancimi i veprimeve kuptimplote klimatike tani është thelbësore për të mbrojtur shëndetin dhe mbijetesën e njerëzve”, theksoi raporti.
“Inkurajuese është që kjo mund të sjellë njëkohësisht përfitime të mëdha dhe të menjëhershme shëndetësore dhe ekonomike”, shtoi raporti duke njoftuar se energjia e pastër përbënte 10 për qind të rritjes globale të prodhimit bruto të brendshëm në vitin 2023.









