Në përfundim të takimit ndërfetar të organizuar nga Komuniteti i Shën Egjidit në Romë, Papa Leoni XIV përcolli një mesazh të fuqishëm për paqen dhe pajtimin mes popujve.
“Bota është e etur për paqe dhe ka nevojë për një epokë të re pajtimi, që i jep fund shtypjes, forcës dhe indiferencës ndaj drejtësisë. Mjaft më me luftëra, me viktima, shkatërrime e mërgime,” tha Ati i Shenjtë gjatë fjalës së tij në ceremoninë e mbajtur brenda Koloseumit, ku morën pjesë edhe udhëheqës të feve të tjera të krishtera.
Papa theksoi se lutja është një forcë e madhe për pajtim dhe paralajmëroi kundër keqpërdorimit të fesë për dhunë apo përçarje.
“Ata që nuk luten, abuzojnë me fenë, duke arritur deri në vrasje. Jo më slogane kundër krijesave të Zotit. Ne besojmë se lutja mund të ndryshojë historinë e popujve,” u shpreh ai.
Duke kujtuar fjalët e Papa Françeskut, Leoni XIV theksoi se fetë duhet të shmangin tundimin për t’u bërë mjete të nacionalizmit, ndarjeve etnike apo populizmit.
“T’i japin fund luftërave është detyrë e politikanëve. Zoti do t’i mbajë përgjegjës ata që nuk kanë kërkuar paqe ose kanë nxitur konflikte,” përfundoi Papa.









