Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq, do të përgjigjet nesër në pyetjet e deputetëve në seancën e veçantë të Kuvendit.
Diskutimet do të fokusohen në çështje kyçe të politikës së brendshme dhe ekonomike, përfshirë funksionimin e sistemit të drejtësisë, punën dhe planet e Qeverisë në vazhdim të mandatit, si edhe situatën në sektorin e sigurisë.
Një pjesë e rëndësishme e debatit pritet të jetë ekonomia, ku disa përfaqësues të opozitës do të kërkojnë shpjegime për rritjen e inflacionit dhe pasojat e rritjes së tatimeve në çmimet e produkteve dhe shërbimeve.
Po ashtu, pritet të shtrohen pyetje për marrëveshjet e qeverisë me kompaninë ajrore Wizz Air dhe pritshmëritë ekonomike nga zgjerimi i aktivitetit të saj në vend.
Temë tjetër e rëndësishme pritet të jetë politika e migracionit dhe ndikimi i shtimit të numrit të të huajve që vijnë dhe vendosen në Mal të Zi, përfshirë edhe çështjet që lidhen me demografinë dhe tregun e pasurive të paluajtshme.
Gjithashtu, parashikohet të hapet diskutim edhe për projekte zhvillimore rajonale, si ai i ndërtimit të qendrës së skijimit në Rozhajë.










