Foto: Ilustrim
Në Mal të Zi çdo vit rreth 1.000 deri në 1.200 persona pësojnë goditje në tru, ka deklaruar drejtoresha e Klinikës së Neurologjisë, dr. Sandra Vujoviq, me rastin e 29 tetorit – Ditës Botërore të Luftës kundër Goditjes në Tru.
Ajo theksoi se vdekshmëria mbetet e lartë dhe se goditja në tru është situatë urgjente që kërkon trajtim të menjëhershëm në spital. Simptomat kryesore që duhen njohur janë dobësimi i papritur i një krahu ose këmbë, vështirësia në të folur dhe asimetria e fytyrës.
Sipas saj, suksesi i trajtimit varet nga shpejtësia me të cilën pacienti arrin te neurologu.
Dr. Vujoviq nënvizon se parandalimi është mbrojtja më e mirë, përmes kontrollit të presionit të gjakut, rregullimit të nivelit të sheqerit dhe yndyrave, trajtimit të aritmive të zemrës, ndalimit të duhanit dhe kufizimit të alkoolit.
Ajo rekomandon dietën mesdhetare, aktivitet fizik të rregullt dhe gjumë të mjaftueshëm.










