KURTI: ANËTARËSIMI I BALLKANIT PERËNDIMOR NË BE ËSHTË NË VETË INTERESIN EKONOMIK DHE TË SIGURISË SË SAJ

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian (BE), është në vetë interesin ekonomik dhe të sigurisë së BE-së dhe shteteve anëtare të saj, transmeton Anadolu.

Kurti tha kështu në një fjalim në darkën e shtruar nga Qarku Diplomatik i Parisit, ku ishte i ftuar bashkë me personalitete diplomatike, politike dhe ekonomike të Francës.

Duke folur për angazhimin dhe vlerën e shtuar të anëtarësimit të Kosovës dhe gjithë Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO, Kurti theksoi se zgjerimi i jashtëm i BE-së dhe reformat e brendshme të tij, shkojnë krah për krah.

“Vetëm një Evropë që dëshiron të reformohet nga brenda mund të zgjerohet nga jashtë, dhe vetëm një Evropë që dëshiron të zgjerohet nga jashtë mund të reformohet suksesshëm nga brenda, zgjerimi i jashtëm dhe reformat e brendshme janë njëkohësisht mundësi dhe kushte të njëra-tjetrës”, u shpreh ai.

Në adresimin e tij para të pranishmëve, Kurti foli për rëndësinë e solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve demokratike në avancimin e mëtejmë të shoqërive dhe në përballje me sfidat e përbashkëta.

Ai theksoi nevojën, si dhe rëndësinë, që në rrugëtimin përpara të vendeve evropiane vlerat dhe interesat të ecin gjithmonë bashkë.

Kryeministri Kurti sot bashkë me liderë nga e gjithë bota merr pjesë në edicionin e tetë të Forumit të Paqes në Paris, me ftesë të presidentit të Francës, Emmanuel Macron.

SHARE