MILLATOVIQ MBËSHTET KANDIDATURËN E PODGORICËS PËR KRYEQYTETIN EVROPIAN TË RINISË 2028

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, u takua me kryetarin e Podgoricës, Sasha Mujoviq, zëvendëskryetarët dhe drejtuesit e komunës për të diskutuar kandidaturën e Podgoricës për Kryeqytetin Evropian të Rinisë për vitin 2028.

Millatoviq deklaroi se kjo iniciativë ka mbështetjen e tij të plotë dhe se janë dakorduar për hapat e mëtejshëm që ai si President do të ndërmarrë për të promovuar dhe përkrahur këtë kandidaturë.

Ai theksoi se ky takim është një mesazh i fortë për të rinjtë në Mal të Zi, duke i vendosur nevojat e tyre në qendër të vëmendjes.

Presidenti përmendi gjithashtu projektet e mëparshme në favor të rinisë, si programi i bursave për studentët e shkëlqyer dhe iniciativa për krijimin e Këshillit të Iniciativave Rinore pranë presidencës.

Nga ana tjetër, kryetari i Podgoricës, Sasha Mujoviq, falënderoi Presidentin për mbështetjen, duke theksuar rëndësinë simbolike të vitit 2028, kur Mali i Zi shpreson të bëhet edhe anëtar i plotë i Bashkimit Evropian.

Ai shprehu optimizëm se Podgorica do ta fitojë titullin dhe se bashkëpunimi mes qeverisjes lokale dhe asaj shtetërore është kyç për suksesin. Podgorica ka paraqitur kandidaturën në shkurt 2025, dhe në gusht ka kaluar në fazën e tretë të vlerësimit.

Finalja e garës zhvillohet në nëntor, ndërsa konkurentë të tjerë janë: Pernik (Bullgari), Kishinjev (Moldavi), Paralimni (Qipro) dhe Leuverden (Holandë).

Ky projekt organizohet nga European Youth Forum që nga viti 2009, nën mbikëqyrjen e Këshillit të Evropës, dhe ka për qëllim promovimin e pjesëmarrjes rinore dhe zhvillimin e politikave për të rinjtë në qytete të ndryshme evropiane.

SHARE