RAMA MBI INTEGRIMIN NË BE TË BALLKANIT PERËNDIMOR: PROCESI DUHET PËRSHPEJTUAR

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka marrë pjesë në forumin “Berlin Global Dialogue” në Gjermani, ndërsa ishte pjesë e panelit me temë “Roli Gjeopolitik i Ballkanit Perëndimor”, një bashkëbisedim i fokusuar në rolin që mund të luajë Ballkani Perëndimor në forcimin e së ardhmes gjeopolitike dhe ekonomike të Evropës.

Kryeministri Rama ka theksuar se Ballkani Perëndimor ka një histori mjaft të vështirë, por sipas tij është në zemër të Evropës dhe “nuk ka asnjë zgjidhje përveç futjes së Ballkanit Perëndimor në BE”.

“Kompleksiteti i Ballkanit Perëndimor sot është një tjetër arsye pse procesi i futjes së Ballkanit Perëndimor (në BE) duhet përshpejtuar. Ne jemi në mes të shumë aktorëve. Nuk po flas për Shqipërinë, sepse Shqipëria është shumë, shumë e qartë. Edhe pse ka pasur një histori që i ka mësuar shumë lidhur me lojtarët e mëdhenj, edhe kur të tjerët ose nuk i njihnin ata, si Kina apo si Rusia, që i njohën në mënyrën më të vështirë të mundshme, sepse duke qenë gjithmonë tejet besnikë, e kemi tepruar duke qenë besnikë ndaj diktatorëve mizorë, si Stalini”, u shpreh Rama.

Rama shtoi se në vendet e tjera ka më shumë prani ruse, më shumë ndikim rus dhe sipas tij “kjo duhet zbutur plotësisht, duke integruar më shumë Ballkanin Perëndimor në BE”.

Kryeministri Rama u shpreh se duhen hapur hapësira të reja për vendet kandidate, duke shtuar se për pak javë do të mbajnë në Tiranë samitin e Procesit të Berlinit.

Ai tha se agresioni rus (ndaj Ukrainës) i ka hapur sytë gjithkujt dhe i ka bërë të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë e Ballkanit Perëndimor për BE-në

Duke folur për debatin mes tij dhe përfaqësuesit të Rusisë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB), Rama tha se, “Në qoftë se nuk keni armatime të rënda, duhet të kesh të paktën humor dhe saktësisht kështu, kjo është diçka që rusët nuk e kanë. Sepse pa asnjë armatim, pa humor, atëherë ke marrë fund”.

“Berlin Global Dialogue” është një forum ndërkombëtar që bashkon liderët nga politika dhe biznesi për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për një ekonomi globale në tranzicion.

SHARE