INJAC: GJATË GJITHË MUAJIT SHTATOR OFROHET TRANSPORT FALAS ME AUTOBUSËT E QYTETIT

Transporti me autobusë të qytetit do të jetë falas për të gjithë qytetarët gjatë gjithë muajit shtator, njoftoi kryetarja e Podgoricës, Olivera Injac.

Nga Kryeqyteti thanë se kanë pasur një përvojë shumë pozitive kur kanë marrë një vendim të ngjashëm vitin e kaluar, kur u sigurua transporti falas nga data 11 deri më 30 shtator dhe për këtë arsye vendosën ta ofrojnë sërish këtë përfitim për qytetarët, por këtë herë gjatë gjithë muajit.

“Transporti falas me autobusë të kompanisë së qytetit ‘Rrugët’ do të jetë i vlefshëm gjatë gjithë muajit shtator dhe ky vendim sjell përfitime si për qytetin ashtu edhe për qytetarët. Më vjen mirë që kemi mundësinë të shënojmë në këtë mënyrë Javën Evropiane të Lëvizshmërisë dhe të promovojmë shërbimet e transportit urban, të cilat janë duke u përmirësuar vazhdimisht. Njëkohësisht, kjo është mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve që i përdorin këto shërbime”, tha Injac.

Ajo shtoi se shërbime të shumta të ofruara nga Kryeqyteti janë përmirësuar falë heqjes së shpenzimeve joproduktive dhe racionalizimit të kostove që rëndonin buxhetin e qytetit, njoftoi Kryeqyteti.

SHARE