OKB: GAZA PËRBALLET ME URI EKSTREME, KËRKOHET NDËRHYRJE E MENJËHERSHME PËR TË SHPËTUAR JETË

Uria është tashmë një realitet në Rripin e Gazës, ku kufizimet izraelite ndaj ndihmave ushqimore dhe përshkallëzimi i luftimeve kanë krijuar “skenarin më të keq të mundshëm”, paralajmërojnë ekspertët e urisë të mbështetur nga OKB-ja, duke bërë thirrje për ndërhyrje urgjente për të shpëtuar jetë njerëzish.

“Provat e shumta tregojnë për një përhapje të gjerë të urisë, kequshqyerjes dhe sëmundjeve që po shtojnë numrin e vdekjeve të lidhura me mungesën e ushqimit”, thuhet në alarmin e lëshuar nga Klasifikimi i Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC). “Skenari më i keq i urisë po ndodh aktualisht në Rripin e Gazës.”

Kjo është hera e parë që IPC pohon se uria ka filluar në Gaza, ndonëse më herët kishte paralajmëruar se territori ishte në prag të saj. Gjatë pothuajse dy viteve luftë, Izraeli ka kufizuar vazhdimisht hyrjen e ndihmave në Gaza, duke i ndërprerë ato tërësisht në disa raste.

Alarmi për uri vjen në një kohë kur autoritetet shëndetësore palestineze njoftojnë se numri i viktimave në Gaza ka tejkaluar 60 mijë, ku shumica janë civilë.

Megjithatë, sipas IPC-së, Gaza nuk është shpallur ende zyrtarisht në gjendje urie, pasi për këtë nevojitet një analizë e plotë që do të kryhet së shpejti. Por të dhënat ekzistuese tregojnë se dy nga tre kriteret kyçe për shpalljen e urisë tashmë janë përmbushur.

Sipas standardeve ndërkombëtare, uria shpallet kur: të paktën 20% e popullsisë përballet me mungesë ekstreme ushqimi, një në tre fëmijë është në gjendje të rëndë kequshqyerjeje dhe dy persona në çdo 10 mijë vdesin çdo ditë për shkak të urisë ose sëmundjeve të lidhura me të.

Shumica e Gazës e ka kaluar pragun e konsumit minimal ushqimor, thuhet në raportin e IPC-së, me “një në tre persona që kalojnë ditë të tëra pa ngrënë”.

Kequshqyerja te fëmijët është rritur ndjeshëm në fillim të korrikut, duke arritur në nivelin e urisë në qytetin e Gazës. “Spitalet kanë raportuar rritje të shpejtë të vdekjeve nga uria te fëmijët nën moshën pesë vjeçare, me të paktën 16 raste të vdekjeve që nga 17 korriku,” thuhet në raport.

Nga prilli deri në mes të korrikut, mbi 20 mijë fëmijë janë trajtuar për kequshqyerje akute, nga të cilët 3 mijë në gjendje të rëndë.

Për sa i përket vdekjeve të lidhura me urinë kriteri i tretë për shpalljen e urisë mbledhja e të dhënave të sakta mbetet e vështirë për shkak të kolapsit të sistemit shëndetësor, por Programi Botëror i Ushqimit (WFP) dhe UNICEF, në një deklaratë të përbashkët, konfirmojnë se këto vdekje janë “gjithnjë e më të zakonshme”. Drejtoresha ekzekutive e WFP-së, Cindy McCain, u shpreh: “Vuajtja e papërshkrueshme e popullit të Gazës është e qartë për mbarë botën. Është e papranueshme të pritet një shpallje zyrtare e urisë për të ofruar ndihmën jetike që ata kanë nevojë urgjente.”

Raporti i IPC-së përshkruan se si “kufizimet drastike” të Izraelit mbi hyrjen e ushqimeve kanë bërë që sasia e ndihmave të mbërritura në Gaza të jetë shumë më e ulët se nevojat bazë të popullsisë, pa përfshirë produkte të freskëta si perimet apo mishi.

Popullsia në Gaza ka nevojë për rreth 62 mijë tonë metrikë ushqime bazë çdo muaj. Sipas të dhënave izraelite të përmendura në raport, në mars dhe prill nuk ka hyrë fare ushqim në Gaza, ndërsa në maj janë futur 19 mijë e 900 tonë dhe në qershor 37 mijë e 800 tonë.

“Kjo është diçka që nuk e kemi parë në këtë shekull,” tha Ross Smith, drejtor i emergjencave në WFP, duke folur për gazetarët nga Roma nëpërmjet lidhjes video. “Na kujton katastrofat e mëdha të shekullit të kaluar në Etiopi apo Biafra. Na duhet veprim i menjëhershëm.”

Izraeli, nga ana e tij, mohon se ka bllokuar ndihmat, duke fajësuar për mungesën e ushqimit në Gaza keqmenaxhimin nga Kombet e Bashkuara dhe pretendimin se ndihmat po devijohen nga Hamasi.

IPC është një iniciativë ndërkombëtare që bashkëpunon me organizata humanitare, agjenci të OKB-së dhe aktorë të tjerë për të vlerësuar nivelet e urisë në zona në rrezik.

SHARE