Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, sot i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, në të cilën kërkon që propozimi për zgjedhjen e Mirjana Vuçiniq si gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese, i dorëzuar që në maj të këtij viti, të përfshihet urgjentisht në rendin e ditës dhe të vihet në votim.
Vendimi për të heshtur mbi këtë propozim për muaj të tërë, deklaroi Millatoviq, në një kohë kur Gjykata Kushtetuese funksionon me vetëm katër gjyqtarë, përfaqëson një thellim të mëtejshëm të krizës kushtetuese.
“Është e papranueshme që interesat politike të shumicës në pushtet, tash një vit, po bllokojnë punën e Gjykatës Kushtetuese. Nëse e duam Malin e Zi në BE, atëherë duhet të sillemi si demokracitë evropiane që institucionet të bëjnë punën e tyre, pa pazare politike dhe pa përzgjedhje të njëanshme,” theksoi Millatoviq.
Nga kabineti i presidentit bëhet e ditur se ai ka shprehur qartë se nuk do të lejojë obstruksionin e procesit ligjor të përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke kujtuar se Kuvendi prej një viti po injoron tre vende të lira në këtë institucion kyç, përfshirë edhe vendin e gjyqtares Gjuranoviq, e cila është shkarkuar në mënyrë të kundërligjshme, siç kanë vënë në dukje Komisioni i Venecias dhe Bashkimi Evropian.
“Presidenti Millatoviq u bën thirrje deputetëve të Kuvendit që sa më parë të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, dhe të vendosin pa vonesa të mëtejshme për propozimin që u është paraqitur. Çdo gjë tjetër do të ishte një sinjal i qartë se shumica parlamentare po vazhdon praktikën e vjetër të mbajtjes së institucioneve kyçe si peng të interesave të veta partiake,” thuhet në deklaratë.