Foto: Qeveria e Malit të Zi / Vlada Crne Gore
Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq ka deklaruar se kompanitë Bechtel dhe Enka janë të motivuara të jenë pjesë e suksesit në Mal të Zi.
Sipas fjalëve të tij, zhvillimi i infrastrukturës në Mal të Zi është një ëndërr e kahershme – autostrada drejt detit dhe veriut.
“Kjo ëndërr shumëdekadëshe po bëhet realitet. Edhe partneri ynë strategjik – Shtetet e Bashkuara të Amerikës – janë të gatshme të ndihmojnë në këtë rrugëtim”, theksoi Spajiq në platformën X.
Ai shtoi se është nënshkruar një memorandum mirëkuptimi me kompanitë Bechtel dhe Enka, të cilat janë shumë të motivuara të marrin pjesë në këtë projekt të rëndësishëm për Malin e Zi.
“Ky është një hap logjik pas Memorandumit për bashkëpunim ekonomik me SHBA-në, që kemi nënshkruar në tetor të vitit të kaluar, dhe mbi të cilin do të bazojmë dekadat e ardhshme të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona”, përfundoi Spajiq.