KONGRESMENËT THIRRJE TRUMPIT TË VIZITOJË KOSOVËN DHE SERBINË

Republikanët dhe demokratët amerikanë janë bashkuar në dëshirën që presidenti Trump të vizitojë Kosovën dhe Serbinë për të finalizuar një marrëveshje mes këtyre dy shteteve.

Në letrën e tyre, kongresistja republikane, Claudia Tenney, dhe homologja demokrate, Chrissy Houlahan, besojnë se vajtja e Trump në Prishtinë dhe Beograd do të ndihmojë për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

Kongresmenët kanë theksuar faktin se aktualisht ekziston një moment unik për të arritur paqen në rajonin e Ballkanit Perëndimor përmes njohjes reciproke mes Kosovës dhe Serbisë.

“I dërguam një letër dypartiake Presidentit Trump duke e inkurajuar atë të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje të qëndrueshme paqeje Serbi-Kosovë.”

Ato i referohen lidershipit të Presidentit Trump në Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020 mes ish-kryeministrit Hoti dhe presidentit Vuçiç.

“Ju tashmë e keni demonstruar ndikimin tuaj unik në atë rajon duke udhëhequr negociatat për Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020 mes Serbisë dhe Kosovës. Ne besojmë ju jeni personi ideal për të udhëhequr negociatat për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes Serbisë dhe Kosovës që mund të çojë në normalizim dhe në njohjen të ndërsjellë.”

Letra e kongresmeneve vjen në dritën e pretendimeve të Trumpit të shprehura edhe në krah të kryeministrit britanik Starmer se ai ka arritur të ndalë një konflikt potencial të armatosur mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ka ngecur për shkak të mungesës së vullnetit të palëve për zbatim të marrëveshjeve të arritura më parë.

Ndërkaq Ambasada Amerikane në Kosovë ka deklaruar se udhëheqësit politikë duhet t’i shfrytëzojnë javët në vijim për të gjetur një zgjidhje që siguron udhëheqje të qëndrueshme dhe në përputhje me Kushtetutën.

Në Kosovë vijon kriza politike pas 55 seancave në Kuvend, kur nuk është arritur formimi i legjislaturës së re, ndërkohë që pritet vendimmarrja nga Gjykata Kushtetuese.

SHARE