MANDATI NË ZGJEDHJET E JASHTËZAKONSHME TË ZGJASË DERI NË ZGJEDHJET E RREGULLTA LOKALE

Iniciativa për organizimin e të gjitha zgjedhjeve lokale në një ditë është shumë e rëndësishme dhe e nevojshme për Malin e Zi, tha për Portalin RTMZ, Nikoleta Gjukanoviq, anëtare e Komisionit për Reformë Gjithëpërfshirëse Zgjedhore.

“Rekomandimi në atë pjesë nënkupton që edhe kur ka zgjedhje të parakohshme, lidershipi i radhës të ketë mandat deri në fund të asaj fillestare, për të ruajtur kontinuitetin e mbajtjes së të gjitha zgjedhjeve lokale brenda një dite dhe për të parandaluar keqpërdorimet partiake kur bëhet fjalë për listat zgjedhore, inxhinierinë zgjedhore e të ngjashme”, thotë Gjukanoviq.

Gjukanoviq thotë se mbajtja e zgjedhjeve lokale në një ditë është vetëm një nga rekomandimet e shumta për reformimin e legjislacionit zgjedhor.

„Pra, nëse ekziston vullneti i palëve për të reformuar legjislacionin, ka shumë zgjidhje të qëndrueshme për përmirësim”, tha Gjukanoviq.

Po ashtu, anëtari i Komisionit, Nikollë Camaj, mendon se kemi nevojë për unifikimin e zgjedhjeve lokale.

“Pikërisht për të shmangur krizat politike shumë të shpeshta që shkaktojnë zgjedhje të jashtëzakonshme lokale, është e nevojshme që të organizohet që të gjitha zgjedhjet lokale të mbahen në të njëjtën ditë”, tha Camaj për Portalin RTMZ.

Ai thotë se një zgjidhje e tillë do të nënkuptonte që mandati i fituar në zgjedhjet e jashtëzakonshme të zgjasë vetëm deri në ditën kur caktohen zgjedhjet e reja gjithëpërfshirëse lokale.

“Në këtë mënyrë ata që shohin mundësi për një mandat të ri të plotë në zgjedhjet e reja do të demotivoheshin edhe më shumë, sepse nuk do të ishte i plotë”, ka theksuar Camaj.

Të rikujtojmë se në fund të muajit maj, ministri i Administratës Publike Marash Dukaj ka dorëzuar në Kuvend një iniciativë për shqyrtimin e propozimit për vendosjen e zgjedhjeve të drejtpërdrejta të kryetarit të komunës dhe propozimin për mbajtjen e zgjedhjeve në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale në të njëjtën ditë.

Siç njofton Ministria e Administratës Publike (MAP), Dukaj ka dorëzuar iniciativën dhe propozimin në Komisionin Parlamentar për Reformë Gjithëpërfshirëse Zgjedhore.  

SHARE