‘GARË’ PËR KOMISIONERIN E ZGJERIMIT / POSTI BËHET SËRISH TËRHEQËS

Menjëherë pasi Parlamenti Evropian, konfirmoi Ursula von der Leyenin në postin e presidentes së Komisionit Evropian edhe për një mandat të ri pesëvjeçar, kanë filluar tani përllogaritjet se kush do t’i marrë postet kryesore në kolegjin e ri të komisionareve, siç njihet Komisioni Evropian.

Sipas traktateve themelore të BE-së, Komisioni Evropian duhet të ketë aq anëtarë sa edhe ka vende anëtare BE-ja, që do të thotë se secili vend anëtar ka një komisioner. Kur emërohen në postet e komisionerëve, ata duhet t’i shërbejnë BE-së dhe jo vendit prej nga vijnë.

Por, megjithatë, vendet anëtare synojnë dhe lobojnë fuqishëm që komisionerët e tyre të kenë poste sa më të rëndësishme.

Poste kryesore në Komisionin Evropian konsiderohen, zakonisht, ato që kanë të bëjnë me financa, bujqësi, fonde, tregti dhe energji.

Edhe pse në BE nuk ka poste të komisionerëve që janë të parëndësishme, ndikimi i atyre që merren me portofolë si kultura, edukimi, shëndetësia dhe disa fusha të tjera, është më i vogël.

Kjo, jo për faktin se këto fusha nuk janë të rëndësishme, por më shumë për shkak se ato janë kryesisht kompetenca të vendeve anëtare dhe Komisioni Evropian ka më pak ndikim në to.

Kësaj radhe ka shumë interes nga vendet anëtare që kandidati i tyre ta marrë postin e komisionerit të Zgjerimit të BE-së. Situata nuk ka qenë kështu para pesë vjetësh.

Që nga viti 2004, kur ka ndodhur zgjerimi i madh i Bashkimit Evropian me dhjetë anëtarë të rinj, posti i komisionerit për Zgjerim nuk është konsideruar i rëndësishëm.

Atëkohë, është kuptuar se në procesin e zgjerimit mbeten vetëm vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe ato janë shumë larg anëtarësimit, ndaj komisionari i Zgjerimit nuk do të mund të kishte ndonjë sukses të konsiderueshëm në mandatin e tij.

Në vitin 2019 nuk pati ndonjë interes të madh nga vendet anëtare që kandidati i tyre të merrte postin e komisionarit për Zgjerim dhe ai iu dha Hungarisë.

E ky nuk u pa si mesazh i mirë nga mbështetësit e zgjerimit.

Tani, kur mandati i komisionerit aktual, Oliver Varhely po përfundon, analistët e shohin nga këndvështrime të kundërta punën e tij. Veçanërisht në raportet me Serbinë.

Sipas diplomatëve të BE-së, tani posti i komisionerit të zgjerimit ka më shumë peshë. Pasi veç të tjerash, në proces anëtarësimi janë dhjetë shtete.

Veç 6 vendeve të Ballkanit, në proces janë edhe Ukraina, Moldavia e Gjeorgjia.

Turqia, edhe pse pak kush beson se do të jetë ndonjëherë anëtare e BE-së, formalisht ka ende statusin e kandidatit.

E me të gjitha këto vende do të merret komisioneri i zgjerimit, që do të ketë përgjegjësi edhe për një buxhet më të madh se më parë.

SHARE