QEVERIA 800 MIJË EURO KOMUNËS SË TUZIT PËR REALIZIMIN E PROJEKTEVE KAPITALE

Qeveria e Malit të Zi në mbledhjen e djeshme ka dhënë miratimin e saj për shfrytëzimin e mjeteve nga Rezerva Korrente Buxhetore, sipas së cilës Komunës së Tuzit i ndahen 800 mijë euro për realizimin e projekteve kapitale. Duke pasur parasysh se në vitin 2022 është planifikuar hapja e fabrikave të reja në Komunën e Tuzit, përkatësisht një fabrikë për prodhimin e patatinave, për prodhimin e vajit të lulediellit dhe  për prodhimin e lëngjeve natyrale, si dhe është paralajmëruar hapja e një fabrike djathi dhe fabrike për prodhimin e armaturës ndërtimore, Komuna kërkoi mbështetje për realizimin e këtyre projekteve. “Për realizimin e këtyre projekteve nevojitet sigurimi i infrastrukturës komunale në vlerë prej afro dy milionë eurosh investime afatgjata dhe fondet e miratuara do të përdoren për nevojat urgjente të përmirësimit të infrastrukturës rrugore lokale, ujësjellësit dhe kanalizimeve, rrjetet elektrike dhe infrastrukturat e tjera mbështetëse”, thuhet në njoftimin e Qeverisë. 

SHARE