NË 6 MUAJ TURIZËM AQ SA NË TË GJITHË VITIN 2020

Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, ekonomia turistike malazeze fitoi po aq sa në të gjithë vitin e kaluar, njoftoi Ministria e Zhvillimit Ekonomik. Në seancën e sotme të Trupit Koordinues për monitorimin e sezonit turistik, të kryesuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik Jakov Millatoviq, u deklarua se rezultatet e deritanishme në sezonin turistik kanë justifikuar dhe madje tejkaluar pritjet dhe parashikimet e kësaj qeverie. “Jam i kënaqur që me përpjekje të përbashkëta arritëm atë që pak kush besonte para fillimit të sezonit turistik. Ky sezon është një reflektim i synimeve realiste të vendosura nga kjo qeveri, dhe siç e kemi treguar shumë herë, synimet janë gjithmonë të fokusuara në qytetarët dhe jetën e tyre më të mirë. Kënaqësia e përfaqësuesve turistikë është gjithashtu e dukshme, për të cilët, pas vitit të kaluar të vështirë, një ringjallje e tillë ishte vendimtare,” tha Millatoviq. Në seancë mori pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë, Jelena Boroviniq-Bojoviq, e cila u bëri thirrje të gjithëve që të respektojnë masat dhe të vaksinohen. “Ne të gjithë duhet të japim kontribut personal dhe shembull për të tjerët duke respektuar masat dhe duke u vaksinuar. Ne kemi një qëllim të përbashkët dhe për këtë arsye duhet të jemi solidarë. Kjo është mënyra e vetme për të mbrojtur veten nga virusi, por edhe një kusht themelor për të vazhduar një sezon turistik të suksesshëm,” tha ajo.

SHARE