Petullat shijojnë në çdo mënyrë kombinimi dhe mënyrat e përgatitjes së tyre janë të shumta.
AgroWeb.org ju sjell më poshtë një mënyrë speciale të përgatitjes së petullave të mbushura me gjizë.
Këtë recetë mund ta kombinoni edhe me mbushje të tjera sipas dëshirës, me mish të grirë e qepë, spinaq e djathë apo edhe mbushje të tjera.
Përgatitja e Petullave të Mbushura në Shtëpi
Përbërësit
- 500 gr miell gruri
- 2 kokrra vezë të freskëta
- 1 gotë e gjysmë kos
- Dy lugë kafeje me sodë
- Kripë
- 200-300 gr gjizë
Përgatitja
Në një tas të madh shtojmë miellin, sodën dhe kripën.
Krijojmë një gropëz të vogël në mes dhe aty shtojmë dy vezët dhe kosin.
I përziejmë të gjithë përbërësit dhe punojmë brumin me dorë derisa të krijohet një masë e njëtrajtshme dhe homogjene.
Pasi brumi është gati, AgroWeb.org ju sugjeron ta lini të pushojë përreth një orë.
Më pas, brumin e ndajmë në dy pjesë të barabarta dhe secilën prej pjesëve e hapim në një petë me trashësi rreth 1 centimetër.
Petën e presim në katrore, rrethore ose trekëndore të vogla me madhësi nga 8-10 centimetra.
Megjithatë, petën për mbushjen e petullave mund ta prisni në madhësinë që dëshironi.
I mbushim brenda me nga një lugë çaji e pak me gjizë, i palosim dhe u mbyllim anët përmes një piruni në mënyrë që të mos dalë mbushja.
Vendosim tiganin në zjarr dhe hedhim vajin, pasi ky i fundit të jetë ngrohur nisim skuqjen e petullave.
Ndërkohë në mënyrë që petullat të mos thithin shumë vaj mund të përdorni një truk shumë të thjeshtë duke shtuar një lugë gjelle raki ose uthull molle gjatë përgatitjes së brumit.
Në këtë mënyrë petullat jo vetëm që nuk do thithin shumë vaj por njëkohësisht do të jenë të buta dhe të shijshme.