Rregullatori i telekomunikacionit në Brazil, Anatel, ka nisur një konsultim publik mbi një propozim për t’i bërë karikuesit USB-C të detyrueshëm për të gjithë telefonat e avancuar të shitura në vend.
Është shembulli më i fundit i ligjvënësve dhe rregullatorëve që i drejtohen USB-C si një standard i zakonshëm i karikimit për telefonat, transmeton Telegrafi.
BE-ja miratoi një ligj për këtë çështje në fillim të këtij muaji, duke e bërë USB-C të detyrueshëm për një sërë pajisjesh elektronike (duke përfshirë telefonat e avancuar) deri në fund të vitit 2024, edhe në SHBA disa politikanë demokratë po bëjnë presion për legjislacion të ngjashëm.
“Të ndërgjegjshëm për lëvizjet e lartpërmendura në tregun ndërkombëtar, zona teknike e Anatel vlerësoi temën dhe paraqiti një propozim me një qasje të ngjashme për aplikim në tregun brazilian”, tha Anatel.
Duke pasur parasysh që USB-C është bërë standardi i paracaktuar i karikimit për telefonat e rinj Android, një legjislacion i tillë do të kishte efektin më të madh në Apple, e cila ende përdor standardin e saj Lightning për iPhone. Është përfolur prej kohësh se kompania po teston iPhone-at me USB-C, dhe tashmë e ka miratuar këtë standard për shumë nga tabletët dhe laptopët e saj. /Telegrafi/