BIDEN: SHBA-ja DO TË FORCOJË POZICIONIN NË EVROPË

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të ndryshojnë strategjinë ushtarake në Evropë, për shkak të pushtimit rus në Ukrainë. Duke folur pasi është përshëndetur me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, në samitin e aleancës që është duke u mbajtur në Madrid, Biden ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të rrisin numrin e armëve shkatërruese që kanë në Spanjë në gjashtë, nga katër sa kanë aktualisht. Përveç tyre, Uashingtoni do të dërgojë dy skuadrilje shtesë F-35 në Britani dhe do të krijojë një bazë ushtarake në Poloni. Aleanca është më e nevojshme se kurrë më parë, ka thënë Biden, duke shtuar se NATO-ja do të “forcohet në të gjitha drejtimet – në tokë, ajër dhe det”. Stoltenberg ka thënë në nisje të ditës së dytë të samitit se NATO-ja po përballet me sfidat më të mëdha prej Luftës së Dytë Botërore, pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, duke shtuar se Moska përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e vendeve anëtare të aleancës. Stoltenberg ka thënë se aleatët do të takohen në “kohën e krizës më serioze”, duke shtuar se “samiti do të jetë historik dhe transformues”. “Ne do të deklarojmë qartë se Rusia përbën kërcënim për sigurinë tonë”, ka thënë Stoltenberg.

SHARE