Foto: RTNK
Kryetari i Komitetit Parlamentar për Stabilizim dhe Asociim ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Malit të Zi, Tomas Vajs, deklaroi se projektet që parashikohen në kuadër të marrëveshjes mes Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) mund të paraqesin një pengesë serioze për anëtarësimin e Malit të Zi në Bashkimin Evropian, veçanërisht nëse gjatë përgatitjes së këtyre projekteve anashkalohen komunitetet lokale. Vajs e bëri këtë deklaratë gjatë një vizite sot në Ulqin.
“Lajmet më të fundit që kemi dëgjuar për mospajtimet me Emiratet e Bashkuara në lidhje me zhvillimin e turizmit kanë shkaktuar shqetësim në Parlamentin Evropian, por edhe në Komisionin Evropian. Ndoshta keni parë letrën që komisionerja Kos i ka dërguar presidentit Millatoviq, ku ka shprehur shqetësim për shkeljen e rregullave të prokurimit publik. Kjo do të thotë që projektet që realizohen në kuadër të kësaj marrëveshjeje mund të jenë në kundërshtim me legjislacionin evropian, dhe kjo do të ishte një pengesë serioze për procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në BE,” tha Vajs.
Ai shtoi se anashkalimi i komuniteteve lokale në përgatitjen e këtyre projekteve është veçanërisht shqetësues.
Gjatë vizitës në Ulqin, Vajs u takua me këshilltarë të kuvendit lokal dhe përfaqësues të partive politike në asamblenë komunale.
Më pas, ai vizitoi Kriporen e Ulqinit dhe Plazhin e Madh. Tomas Vajs ndodhet për disa ditë në vizitë zyrtare në Mal të Zi, me ftesë të subjektit politik LQ URA.