MILLATOVIQ: LEGJITIMITETI I PËRFAQËSIMIT TË KËSHILLIT TË MBROJTJES NË KUVEND PO VIHET NË PIKËPYETJE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, dhe kryeministrit, Millojko Spajiq, ku thekson se legjitimiteti i përfaqësimit të Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri në Kuvendin e Malit të Zi është i diskutueshëm.

“Në një letër të shefit të Shtabit të Përgjithshëm, gjeneral brigade Zoran Llazareviq, e dërguar më 28 maj 2025 në adresë të presidentit të Malit të Zi, Kuvendit dhe Qeverisë, thuhet se ministri i Mbrojtjes, Dragan Krapoviq, ka lëshuar një urdhër me shkrim që bie ndesh me Vendimin e Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri të datës 28 gusht 2024. Ky vendim parashikonte që në punimet e Kuvendit dhe të trupave punues, gjatë shqyrtimit të propozimit për angazhimin e pjesëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi në kuadër të misionit të ndihmës ushtarake të BE-së për Ukrainën, Këshilli do të përfaqësohej nga ministri i Mbrojtjes dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, për të shpjeguar propozimin,” thuhet në letrën e Millatoviqit.

Presidenti thekson se, nëse ministri ka emëruar ndonjë person tjetër për të marrë pjesë në mbledhjet e Komisionit pa autorizimin e organit kompetent – Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri – atëherë vihet në pikëpyetje legjitimiteti i atij personi për ta përfaqësuar Këshillin.

“Në këtë kontekst, konsideroj që kryetari i Kuvendit (i cili është një nga anëtarët e Këshillit dhe ka marrë pjesë në miratimin e këtij vendimi) duhet të ndërmarrë masa në përputhje me kompetencat e tij për zbatimin e vendimeve të Këshillit gjatë diskutimeve parlamentare. Gjithashtu, vlerësoj se është e arsyeshme që kryeministri, përpara mbledhjes së ardhshme të Këshillit, të kërkojë një deklaratë me shkrim nga ministri i Mbrojtjes lidhur me pretendimet e përmendura në letrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm,” thuhet më tej në letrën e presidentit të Malit të Zi.

SHARE