MILLATOVIQ: DEPUTETËT TË MOS VOTOJNË KUNDËR INTERESIT SHTETËROR

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ka bërë apel ndaj të gjithë deputetëve të Kuvendit që të lexojnë me kujdes argumentet për rikthimin e ligjit në rishqyrtim, duke theksuar se marrëveshja në fjalë nuk është në përputhje me interesat shtetërore të Malit të Zi.

Milaltoviq u shpreh kështu në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve për votimin e ri për Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme ndërmjet Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

“Ky mesazh nuk mund të thuhet më qartë. I ftoj të gjithë deputetët, të zgjedhur nga qytetarët, që të mbrojnë interesin shtetëror dhe të mos bëjnë diçka që është në kundërshtim me të. Kam dhënë argumente të qarta dhe të rëndësishme dhe shpresoj që deputetët i kanë lexuar,” tha presidenti Millatoviq.

Ai rikujtoi gjithashtu që Komisioni Evropian ka dhënë një mendim të qartë, sipas të cilit zbatimi i kësaj marrëveshjeje mund të rrezikojë rrugën evropiane të Malit të Zi.

“Përmes këtij kanali ndikimi, mendoj se kjo është një goditje shtesë për interesin tonë shtetëror – që është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Duke parë gjithçka që po ndodh në skenën politike, pyes veten nëse apeli me argumente ka më kuptim, dhe nëse kemi deputetë dhe aktorë politikë që janë të gatshëm të dëgjojnë apele të arsyeshme. Po e shohim që edhe organizata të besueshme të shoqërisë civile, sikurse Komisioni Evropian dhe qytetarët, ndajnë të njëjtin qëndrim. Në fund, qytetarët do të gjykojnë për të gjithë ne dhe për veprimet tona,” tha Millatoviq.

Ai shtoi se po shqyrton mundësinë e parashtrimit të një nisme në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji.

“Ky do të ishte një hap institucional shtesë që mund të ndërmerret. Por, po e përsëris, dje u tha qartë edhe nga një organizatë ndërkombëtare shumë me ndikim, siç është Transparency International, se kjo marrëveshje e rrezikon rrugën drejt BE-së, hap çështje të mëdha në lidhje me abuzimin e burimeve publike, korrupsionin e mundshëm dhe mungesën e transparencës. Çfarë tjetër duhet të thuhet që deputetët të tërhiqen nga diçka që është në kundërshtim me interesin shtetëror?”, pyeti Millatoviq.

SHARE