MË 3 QERSHOR, KUVENDI DO TË DISKUTOJ PËR MARRËVESHJEN ME EBA DHE INICIATIVËN PËR SHKARKIMIN E ANDRIJA MANDIQ

Foto: Kuvendi i Malit të Zi / Skupština Crne Gore

Seanca e Kuvendit të Malit të Zi ka filluar sot, por debati dhe vendimmarrja për disa çështje kyçe janë shtyrë për më 3 qershor, përfshirë votimin për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme mes Malit të Zi dhe Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), si dhe iniciativën për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq. 

Pas një pauze njëorëshe të kërkuar nga klubi parlamentar i Lëvizjes „Evropa Tani“, për të zgjidhur çështje procedurale, rendi i ditës u miratua me 45 vota pro.

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes „Evropa Tani“, Vasilije Çarapiq, propozoi që diskutimi për të gjitha pikat e rendit të ditës të zhvillohet më 3 qershor, propozim që u pranua nga shumica.

Në pjesën hyrëse të seancës u hap një diskutim i shkurtër mbi projektligjin për ndryshimin e ligjit për regjistrin zgjedhor, i cili gjithashtu u përfshi në rendin e ditës me vendim të shumicës parlamentare.

Deputeti i Demokracisë së Malit të Zi, Momçilo Lekoviq, propozoi që rendi i ditës të plotësohet me Projektligjin për plotësimin e ligjit për regjistrin zgjedhor, me qëllim luftimin e praktikës së adresave të rreme të vendbanimit para zgjedhjeve lokale për të manipuluar vullnetin e votuesve.

Sipas tij, në zgjedhjet e përsëritura në komunën e Shavnikut do të mund të votojnë vetëm ata që kanë ruajtur vendbanimin që nga dita e mbylljes së regjistrit zgjedhor.

Megjithatë, ky propozim nuk u mbështet nga deputetët Nikolla Rakoçeviq dhe Boris Mugosha.

Rakoçeviq theksoi se një veprim i tillë minon punën e Komisionit për Reformën Zgjedhore, i cili është themeluar pikërisht për të trajtuar çështje të tilla.

“Kjo cenon rrugën tonë evropiane. Nëse 80% e qytetarëve duan një perspektivë evropiane, mos e shkatërroni me veprime të tilla,” tha Rakoçeviq.

Në kundërpërgjigje, bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Vasilije Çarapiq, theksoi se opozita ka bllokuar dy herë punën e komisionit dhe se ky propozim është një test për opozitën: nëse janë apo jo për rrugën evropiane të vendit.

“Mos e bllokoni vetëm pse në këtë moment nuk ju pëlqen një zgjidhje ligjore e caktuar,” u shpreh Çarapiq.

Deputeti Admir Adroviq nga Partia Boshnjake tha se do të abstenojnë në votimin për këtë projektligj, pasi çështja duhet të trajtohet fillimisht në Komisionin për Reformë Zgjedhore.

SHARE