Gati 200,000 njerëz në disa shtete amerikane janë pa energji elektrike prej një serie stuhish të fuqishme, erërash shkatërruese dhe breshëri me përmasat e një topi golfi që goditën disa rajone të vendit.
Me e prekura ishte pjesa veriore e Teksasit.
Moti i keq mori të paktën 25 jetë njerëzish gjatë fundjavës e lëndoi me qindra të tjerë teksa la pas një vazhdë shkatërrimi në një pjesë të SHBA-së.
Ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar në shkallë të gjerë në Teksas, i cili ishte goditur dhe nga një valë e hershme të nxehti.
Ndërsa zhvillohej një balotazh në atë shtet, disa qendra votimi njoftuan mungesë të energjisë elektrike.
Rreth 100 qendra votimi në qarkun e Dallas-it nuk kishin qasje në rrjet.
Gjykatësi i qarkut të Dallas-it, Clay Jenkins, e shpalli rajonin zonë fatkeqësie ndërsa vuri në dukje se disa shtëpi pleqsh po përdornin gjeneratorët.
“Kjo tregon se do të përballemi me një situatë shumë-ditore të ndërprerjes së energjisë elektrike”, u shpreh ai.
Sinoptikanët vazhdojnë të paralajmërojnë për stuhi të forta dhe përmbytje të shpejta në pjesët veriore dhe qendrore të Teksasit.
Ndërkohë, jugu i Floridës po përballet me një nxehtësi ekstreme, e cila mund të mbërrijë nivele rekord sipas Shërbimit Kombëtar të Motit.
Reshje të dendura shiu priten sipas këtij shërbimi nga Nju Jorku në Maryland.
Stuhitë shkatërruese gjatë fundjavës shkaktuan vdekje në Teksas, Oklahoma, Arkansas, Mizuri, Kentaki, Karolinën e Veriut dhe Virxhinia.