Bashkimi Evropian pret që takimi i radhës mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e dinarit serb, të jetë rasti final për zgjidhje dhe atë në bazë të propozimit të bërë nga i dërguari i posaçëm evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak.
Kështu tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Ai iu referua takimit të fundit në Bruksel më 25 prill mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, kur nuk u arrit pajtim për transferimin e mjeteve financiare nga Serbia në Kosovë, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës që vetëm euroja të jetë valutë për kryerjen e pagesave.
“Pasi të dyja palët sqaruan qëndrimet e tyre, lehtësuesi i BE-së paraqiti një propozimi kompromisi për aranzhimet për një zgjidhje të përkohshme. BE-ja u bën thirrje të dyja palëve që të pranojnë këtë propozim dhe mbetet e gatshme të jetë mikpritëse e takimit final, nëse palët angazhohen në mënyrë konstruktive lidhur me propozimin e BE-së”, tha Stano për REL-in.
Takimi i radhës për këtë temë pritet të jetë pas dy javësh në Bruksel. Petkoviq, pas takimit të fundit, tha se rundi i radhës i bisedimeve mund të mbahet më 13 maj.
Pas takimit të 25 prillit, Bislimi tha se propozimi i ri i Lajçakut synon që të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket ndihmës financiare nga Serbia për serbët në Kosovë.
Ai nuk tregoi detaje konkrete të propozimit, por tha se Kosova dhe Serbia duhet të japin mendimet e tyre për të në shtatë ditët e ardhshme.
“Le të themi që propozimi i sotëm është më i detajuar se ai i kaluari dhe sqaron më mirë disa prej pikave dhe vërejtjeve që ne kemi pasur në idetë e tij fillestare”, deklaroi Bislimi, duke shtuar se propozimi është një përpjekje e mirë për të gjetur zgjidhje dhe se brenda kyçe e Lajçakut është që të adresojë se si personat e prekur nga vendimi i BQK-së të mund të vazhdojnë të marrin ndihmë financiare nga Serbia.