LAJÇAK: MË 13 MAJ DO TË BISEDOHET PËR TARGAT MES KOSOVËS DHE SERBISË

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, përmes një shkrimi në Twitter ka njoftuar se ka biseduar me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq dhe më 13 maj do të vazhdojnë diskutimet për një zgjidhje për targat. “Më vjen mirë të njoftoj se pas konsultimeve të mia me dy kryenegociatorët dje dhe sot, ne ramë dakord të vazhdojmë diskutimet tona për gjetjen e një zgjidhjeje të përhershme për çështjen e targave në Bruksel më 13 maj”, ka thënë Lajçak. Më 21 prill, në Bruksel, kryenegociatorët në dialogun Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, ishin takuar për të diskutuar për një marrëveshje të përhershme për targat, pasi që marrëveshja e përkohshme e arritur më 30 shtator të vitit të kaluar skadoi më 21 prill. Por, në takimin e 21 prillit ata dështuan të arrinin një marrëveshje të përhershme për targat dhe marrëveshja paraprake e përkohshme vazhdoi të mbesë në fuqi. Sipas marrëveshjes së përkohshme, automjetet e të dyja vendeve, gjatë qarkullimit në territoret përkatëse, vendosnin letra të bardha ngjitëse mbi simbolet shtetërore në targa.

SHARE