ART CLUB: PËRMBLEDHJA “BALADA POPULLORE TË SHQIPTARËVE NË MALIN E ZI”, VEPËR JETËSORE E ISMAIL DODËS

Mbledhësi dhe studiuesi i folklorit Ismail Doda ka botuar ditë më parë librin “Balada popullore të shqiptarëve në Malin e Zi (Përmbledhje) I”, që është pjesë e temës së disertacionit për fitimin e gradës “Doktor i shkencave”, mbrojtur në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë. Përmbledhja përfshin 129 balada me 8 100 vargje, të cilat autori i ka mbledhur ndër shqiptarët në Malin e Zi: në Ulqin, në Anë të Malit, në Krajë, në Tivar me rrethinë, në Malësi të Madhe, në krahinën e Plavës dhe Gucisë si dhe në Rozhajë e Malësi të saj. Këngët janë ndarë në balada legjendare, balada realiste dhe balada revoltimi, që përbëjnë edhe kapitujt e librit. Pjesë e librit janë edhe Fjalori i fjalëve të rralla (krahinore dhe të huaja), Burimet e lëndës, Këngëtarët (nga të cilët i ka mbledhur këngët), Indekset e emrave të vendeve dhe të personazheve. Libri “Balada popullore të shqiptarëve të Malin e Zi” është botuar me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave dhe Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi. Ky është libri i dytë i autorit dr. Ismail Doda.

SHARE