Presidenti Joe Biden i kërkoi të enjten Kongresit të miratojë 33 miliardë dollarë për të mbështetur Ukrainën ndërsa i bën ballë agresionit rus– një rritje dramatike e fondeve nga Shtetet e Bashkuara për Kievin — si dhe miratimin e mekanizmave të rinj ligjorë për të ashpërsuar sanksionet dhe për të konfiskuar pronat e oligarkëve rusë. Kërkesa për fonde përfshin mbi 20 miliardë dollarë për armë, municione dhe ndihma të tjera ushtarake, si dhe 8.5 miliardë dollarë ndihmë të drejtpërdrejtë ekonomike për qeverinë ukrainase dhe 3 miliardë dollarë ndihmë humanitare dhe ushqimore. “Ky projektligj është i nevojshëm për të mbështetur Ukrainën në luftën e saj për liri,” tha zoti Biden në Shtëpinë e Bardhë. “Kostoja e kësaj lufte – nuk është e vogël – por dorëzimi para agresionit do të ishte më i kushtueshëm.” Presidenti Biden kërkoi gjithashtu kompetenca të reja ligjore për të konfiskuar paratë e oligarkëve rusë dhe për t’i dërguar ato më pas në Ukrainë për të financuar përpjekjet e luftës. Administrata kërkon miratimin e të gjitha fondeve që parashikon se do t’i duhen deri në shtator, fundi i vitit fiskal, për të mbështetur operacionet ushtarake të Ukrainës, si dhe për ndihmën humanitare dhe ekonomike, tha të mërkurën zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki. Presidenti Biden paraqiti gjithashtu një propozim që Kongresi të miratojë kompetenca të reja për administratën e tij, që do t’i lejonin zyrtarët amerikanë të sekuestronin më shumë prona të oligarkëve, t’ia jepnin paratë e mbledhura nga konfiskimet Ukrainës dhe të ashpërsonin masat kundër shmangies së sanksioneve, tha Shtëpia e Bardhë. Ndihma ushtarake amerikane për Ukrainën ka arritur në 3 miliardë dollarë, që prej fillimit të pushtimit rus. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë ngrirë ndërkohë 30 miliardë dollarë prona të individëve të pasur të lidhur me presidentin rus Vladimir Putin, përfshirë jahte, helikopterë, pasuri të paluajtshme dhe vepra arti.