BE-ja DËNON RELATIVIZIMIN APO MOHIMIN E GJENOCIDIT NË SREBRENICË

Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që të mos relativizohet apo mohohet gjenocidi në Srebrenicë ,duke thënë se zyrtarët në të gjitha shtetet që synojnë integrim në BE duhet të jenë të gatshëm të respektojnë vlerat evropiane, ndër të cilat është edhe trajtimi me respekt i viktimave të gjenocidit dhe krimeve të luftës. Reagimi i BE-së është bërë pas një deklarate të ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në Mal të Zi, Vladimir Leposaviq, e cila është cilësuar si mohim apo relativizim i gjenocidit në Srebrenicë. Duke iu përgjigjur pyetjes së një deputeti nëse, si ministër i Drejtësisë dhe të Drejtave të Pakicave, ai ishte i gatshëm të pranonte që në Srebrenicë ka ndodhur gjenocidi, ministri Leposaviq ka thënë se ai nuk mund të njihte ose të mos e njihte një ngjarje “për të cilën nuk ka njohuri” . Leposaviq ka thënë se ai ishte i gatshëm të pranonte që krimi i gjenocidit ishte kryer në Srebrenicë “kur kjo të vërtetohet pa dyshime”. “Bashkimi Evropian refuzon dhe dënon çfarëdo mohimi, relativizmi apo keqinterpretimi të gjenocidit në Srebrenicë. Vitin e kaluar shënuam 25 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, një prej kapitujve më të errët në historinë moderne të Evropës. Është koha e fundit që të gjithë liderët politikë në rajon të udhëheqin rrugën drejt respektimit të viktimave dhe promovojnë pajtimin”, thuhet në qëndrimin e BE-së. Më herët, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Podgoricë tha se ishte e shqetësuar me deklarimet që vinin në dyshim atë që ka ndodhur në Srebrenicë të Bosnjë dhe Hercegovinë, gjatë luftës së vitit 1995. “Shpresojmë që Qeveria e Malit të Zi do të dënojë pa mëdyshje masakrën dhe do ta quajë atë ashtu siç ishte – gjenocid”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Podgoricë.

SHARE