Foto: Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Presidentit të Malit të Zi / Kancelarija za odnose sa javnošću predsjednika Crne Gore
Partneriteti strategjik ndërmjet Bashkimit Evropian (BE) dhe Ballkanit Perëndimor është sot më i rëndësishëm se kurrë dhe Mali i Zi duhet të shfrytëzojë mundësinë për t’u bërë anëtari i 28-të i Bashkimit deri në vitin 2028, tha presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.
Ai e tha këtë gjatë një ligjërate për studentët në Kolegjin e Evropës në Natolin, të cilën e mbajti gjatë një vizite pune në Poloni.
Millatoviq tha se Mali i Zi perceptohet si vendi më i avancuar nga dhjetë vendet kandidate për anëtarësim dhe se duhet të shfrytëzojë mundësinë për t’u bërë anëtari i 28-të i BE-së deri në vitin 2028.
“Qëllimi ynë strategjik për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2026 dhe për t’u bërë anëtar i Unionit deri në vitin 2028 është ambicioz, por i arritshëm – me angazhimin dhe mbështetjen tonë shtesë nga BE-ja”, tha Millatoviq.
Ai vuri në dukje pesë arsye themelore pse Mali i Zi është lider midis vendeve kandidate.
“Institucionalisht kemi bërë përparimin më të madh. Ne kemi hapur 33 kapituj në negociatat me BE-në dhe kemi mbyllur gjashtë prej tyre”, tha Millatoviq.
Siç shtoi ai, nga gjithsej tetë kapituj të mbyllur nga të gjitha vendet kandidate, gjashtë janë mbyllur nga Mali i Zi.
“Arsyeja e dytë është harmonizimi i plotë i politikës sonë të jashtme dhe të sigurisë me atë evropiane”, tha Millatoviq, duke shtuar se Mali i Zi është i përkushtuar ndaj kësaj politike sepse ndan të njëjtin sistem vlerash.
Sipas tij, argumenti i tretë është ekonomik.
“Nga të gjitha vendet kandidate, Mali i Zi është më i avancuar ekonomikisht dhe tashmë përdor euron”, tha Millatoviq.
Ai theksoi se një arsye tjetër është se Mali i Zi nuk ka çështje të hapura të rëndësishme me fqinjët.
“Edhe pse ka sfida me Kroacinë, politika e fqinjësisë së mirë është vendimtare për suksesin e rrugës sonë në BE”, tha presidenti i Malit të Zi.
Si arsye të pestë, Millatoviq deklaroi se Mali i Zi është anëtar i NATO-s që nga viti 2017, duke theksuar se beson se kjo ka forcuar stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në një Evropë të integruar, të bazuar në vlerat dhe interesat e përbashkëta”, tha Millatoviq.
Siç theksoi ai, partneriteti strategjik mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor është sot më i rëndësishëm se kurrë.