Deputetët Nikollë Camaj nga Forumi Shqiptar dhe Millan Knezheviq nga DNP kanë dorëzuar një amendament të përbashkët në Ligjin për Financimin e Vetëqeverisjes Lokale, me të cilat komuna e Tuzit dhe e Zetës do të trajtohen si komunat e rajonit verior.
Qeveria propozoi ndryshime në Ligjin për Financimin e Vetëqeverisjes Lokale, me të cilat u ulën të ardhurat nga tatimi mbi të ardhurat për komunat e rajonit qendror dhe bregdetar nga 50 në 40 për qind dhe kjo diferencë, nga dhjetë milionët e parashikuar, përmes buxhetit të shtetit, do tu kalonin komunave më pak të zhvilluara në rajonin verior.
Camaj dhe Knezheviq propozuan që Tuzi dhe Zeta të përjashtohen nga rajoni qendror, gjegjësisht të ulet përqindja e tatimit mbi të ardhurat që ndajnë me shtetin, por të përfshihen në komunat e veriut që të marrin edhe paratë, nga ato që u merren komunave nga bregdeti dhe rajoni qendror.
Camaj në komisionin parlamentar për ekonomi tha se Tuzi dhe Zeta ende nuk e kanë ndarë pasurinë nga Podgorica, dhe se këto komuna kanë të ardhura të pamjaftueshme, prandaj duhet të mbështeten dhe të mos merren nga të ardhurat e tyre.
Ai po ashtu ka thënë se Tuzi ka mbetur pa rreth gjysmë milioni të ardhura për shkak të uljes së tatimit në pronë në sektorin e bujqësisë, sepse “Plantacionet” tani do t’i paguajë shumë më pak tatim kësaj komune.