Në një prej ditëve më të rëndësishme për kombin shqiptar, Malësia përjetoi një moment historik dhe emocional.
Me rastin e Ditës së Flamurit dhe Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor, në sheshin e ri të Tuzit, të emëruar “Sheshi Gjergj Kastrioti Skënderbeu,” u vendos përmendorja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Ceremonia e vendosjes mblodhi një mori personalitetesh të rëndësishme, duke përfshirë ambasadorë, ministra, deputetë shqiptarë dhe klerikë fetarë.
Një numër i madh i diasporës shqiptare udhëtoi enkas për këtë ditë të veçantë, duke i’u bashkuar qytetarëve të Malësisë për të festuar së bashku këtë ngjarje historike.
Diaspora shqiptare luajti gjithashtu një rol të rëndësishëm në realizimin e kësaj përmendoreje, përmes kontributit të tyre financiar dhe përkushtimit ndaj ruajtjes së vlerave kombëtare.
Fjalët përshëndetëse i’u takuan kryetarit të Kuvendit të Komunës së Tuzit Fadil Kajoshaj, nga diaspora kryetarit i shoqatës „Malësia e Madhe“ nga New York-u Senad Lulanaj, kryetari i shoqatës „Malësia e Madhe“ nga Michigani Nrek Gjolaj, kryetari i shoqatës „Malësia“ nga Kalifornia Sherif Krniq, kryetari i shoqatës „Jehona e Malësisë“ nga Michigani dhe njëkohësisht kryetar i bordit drejtues të komisionit për mbledhjen e fondeve të këtij projekti Agron Dedivanaj.
Po ashtu, të pranishëmve iu drejtuan kryetari i Lidhjes Demokratike Shqiptare Ivan Ivanaj, kryetari i Unionit Nacional Shqiptar Fehrat Dinosha, kryetari i Komunës së Tuzit Lindon Gjelaj si dhe zëvendëskryeministri i Qeverisë së Malit të Zi për Politikë Ekonomike Nik Gjeloshaj.
Objekti përkujtimor, përmendorja është e përpunuar nga bronzi i derdhur, ku dimensionet e kësaj shtatoreje në kalë janë në lartësi mbi 5.9 metra. Lartësia e përgjithshme me shpatën në dorë bashkë me piadestalë arrin në 8.9 metra. Lartësia e kalit nga këmba në kokë është 4 metra dhe gjatësia 4.8 metra. Skulptorët Adrian Pepa dhe Dylber Neziri, bustin e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut e kanë filluar me gërvishtjen e horizontit. Vlera e kësaj shtatoreje arrin në 160.000 euro.
Kjo ngjarje shënon jo vetëm një festë të dyfishtë për Malësinë, por edhe një dëshmi të krenarisë dhe unitetit kombëtar. Përmendorja e Skënderbeut, simbol i rezistencës dhe lirisë, tani qëndron në zemër të Tuzit, duke përjetësuar kujtimin e heroit tonë kombëtar në një shesh që tashmë mban emrin e tij.