SHQIPËRIA SHËNON 107 VJET SHTETËSI NËN ANKTHIN E TËRMETEVE

Shqipëria shënon 107 vjet shtetësi nën ankthin e tërmeteve. Mbi 40 persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë plagosur nga tërmetet që e goditën Shqipërinë në dy ditët e shkuara, përderisa bilanci i viktimave vetëm sa shkon e rëndohet. Qindra persona kanë kaluar natën e dytë mes rrënojave, nëpër tenda apo vetura, pas tërmetit me magnitudë 6.4, njëherësh më i fuqishmi në dekada që goditi Shqipërinë në orët e para të 26 nëntorit, rreth 30 kilometra në veriperëndim të Tiranës.  Shqipëria sot shënon 107-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ditë kjo që e gjen vendin në panik dhe pa qetësi. Presidenti i vendit, Ilir Meta tha se kjo ditë e gjeti vendin në zi dhe i ftoi qytetarët të qëndrojnë të bashkuar për të ndihmuar kthimin në normalitet të familjeve të prekura nga tërmeti. “Në këtë ditë që është më e rëndësishmja për shtetin dhe kombin tonë, por që na gjeti në zi dhe në betejë me pasojat e tmerrshme të një tërmeti të pamëshirshëm, ju ftoj të angazhohemi për të nderuar Flamurin tonë Kombëtar dhe të qëndrojmë të bashkuar deri në rikthimin e normalitetit të plotë të jetës për të gjithë familjet shqiptare dhe fëmijët e tyre”, tha Meta. Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook ka thënë se Dita e Flamurit e gjeti Shqipërinë në errësirë. “Hyri Dita e Flamurit Kuqezi në errësirën që na rrethon përkohësisht, përpara daljes së diellit. Zoti e bekoftë Shqipërinë, shqiptarët pa asnjë dallim, kudo që janë e pavarësisht bindjeve që kanë dhe flamurin më të bukur në botë sigurisht”, shkruan Rama. Edhe kryetari i opozitës, Lulzim Basha, ka thënë se me rastin e 107-vjetorit të pavarësisë “mendimet dhe lutjet e shqiptarëve” janë me të lënduarit dhe familjet e viktimave.

SHARE