Foto: Ilustrim
Sipas të dhënave të Monstat-it, qarkullimi i mallrave në tregtinë me pakicë në Mal të Zi gjatë tremujorit të tretë të këtij viti është rritur me 6.8% në çmime aktuale dhe 2.4% në çmime të qëndrueshme, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në krahasim me tremujorin e dytë të këtij viti, qarkullimi është rritur me 19.9% në çmime aktuale dhe 18.6% në çmime të qëndrueshme.
Në tregtinë me pakicë të karburanteve, qarkullimi ka qenë 1.6% më i ulët se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, por 25.4% më i lartë se në tremujorin e dytë.
Në tregtinë me pakicë të produkteve ushqimore, është regjistruar rritje prej 6.6% në krahasim me vitin e kaluar dhe 24.7% krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti.
Ndërkohë, qarkullimi në tregtinë me pakicë të produkteve farmaceutike dhe kozmetike është rritur me 7% krahasuar me një vit më parë dhe me 9.5% krahasuar me tremujorin paraprak.
Për produktet e tjera jo-ushqimore, qarkullimi është rritur me 8.2% në raport me vitin e kaluar dhe me 15.9% krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti.










