MINISTRIA E DREJTËSISË PËRGATIT DRAFTIN E NDRYSHIMEVE TË LIGJIT PËR GJYKATËN KUSHTETUESE SIPAS REKOMANDIMEVE TË KOMISIONIT TË VENECIAS

Foto: Luka Zeković

Ministria e Drejtësisë ka njoftuar se, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias, ka përgatitur Draftin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese.

Me këtë rast, ministri i Drejtësisë, Bojan Bozhoviq, sot ka dërguar një letër zyrtare ambasadorit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, Johan Sattler, kryetares së Komisionit të Venecias, Claire Bazy Malaurie, kryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiq, si dhe Komisionit Evropian, thuhet në njoftimin e ministrisë.

“Më e rëndësishmja është të theksohet se në Draftin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese janë respektuar të katër rekomandimet e Komisionit të Venecias, dhe ato janë: përcaktimi i qartë i kufirit të moshës për përfundimin e mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese; futja e një mekanizmi të thjeshtuar njoftimi për plotësimin e kushteve të pensionit; mundësia që gjyqtari të vazhdojë ushtrimin e funksionit deri në emërimin e gjyqtarit të ri, për të shmangur bllokadat institucionale; shqyrtimi i zgjerimit të dispozitave për përjashtimin e gjyqtarëve në rast të konfliktit të interesit, me respektim të plotë të garancive procedurale dhe funksionimit të pandërprerë të Gjykatës,” thuhet në njoftim.

Nga ministria kanë theksuar se me këto ndryshime fillon një reformë që përbën hapin e parë drejt hartimit të një Ligji krejtësisht të ri për Gjykatën Kushtetuese.

“Në periudhën e ardhshme do të hapim një debat publik cilësor, duke llogaritur në kontributin e publikut profesional dhe të gjerë. Besojmë se zgjidhjet e propozuara do të kontribuojnë në forcimin e stabilitetit institucional dhe sigurisë juridike. Reforma e Gjykatës Kushtetuese është një proces me rëndësi kyçe për shtetin dhe shoqërinë, ndaj presim kontribut konstruktiv nga të gjithë aktorët në debatin publik të ardhshëm,” përfundon njoftimi.

SHARE