Foto: Shutterstock
Komisioni Evropian nuk ka komentuar incidentet në Podgoricë me shtetas turq, por ka reaguar ndaj vendimit të Malit të Zi për vendosjen e përkohshme të regjimit të vizave, duke theksuar nevojën për përafrim të mëtejshëm me politikën e vizave të BE-së.
“BE merr në dijeni vendimin e njoftuar të autoriteteve malazeze për pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për shtetasit turq,” ka deklaruar zëdhënësi i KE-së, Guillaume Mercier, duke shtuar se Komisioni pret nga Mali i Zi përparim të mëtejshëm në përafrimin e politikës së vizave, “veçanërisht përafrim të plotë të Malit të Zi me politikën e vizave të BE-së, në mënyrë që të plotësohen kriteret përfundimtare nga Kapitulli 24.”
Kjo do të thotë, siç shton Mercier, përafrim i plotë me listën e vendeve për të cilat kërkohet vizë nga BE-ja dhe listën e vendeve që gëzojnë regjimin pa viza. “Komisioni gjithashtu po e ndjek me kujdes përafrimin me regjimin e vizave në kuadër të mekanizmit të pezullimit të vizave,” ka shtuar Mercier.
Në Komision kujtojnë se Mali i Zi, si pjesë e Agjendës së tij Reformuese në kuadër të Planit të Rritjes, është zotuar të përafrohet më tej me listën e vendeve për të cilat kërkohet vizë nga BE-ja, duke hequr nga kjo listë një vend në vit.










