RUTTE: PËRSHKALLËZIM I MADH NË LUFTËN E RUSISË NË UKRAINË

Shefi i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë se aleanca ushtarake e ka konfirmuar se trupa të Koresë së Veriut janë në Kursk të Rusisë, rajon në kufi me Ukrainën.

Duke folur nga Brukseli, më 28 tetor, Rutte e ka konsideruar këtë hap si “përshkallëzim të madh” në luftën e Rusisë në Ukrainë.

Sipas tij, ky veprim sinjalizon “dëshpërimin” e presidentit rus, Vladimir Putin, pas humbjes së më shumë se 600.000 ushtarëve në luftë.

“Thellimi i bashkëpunimit ushtarak në mes të Rusisë dhe Koresë së Veriut përbën kërcënim për sigurinë euro-atlantike dhe atë të Indo-Paqësorit”, ka thënë ai.

Rutte i ka bërë këto deklarata pasi ka zhvilluar një takim të nivelit të lartë me një delegacion të Koresë së Jugut, të përbërë nga zyrtarë të lartë të inteligjencës, dhe diplomatë të 32 vendeve anëtare të NATO-s.

Ai ka thënë se NATO-ja është “duke u konsultuar në mënyrë aktive brenda aleancës, me Ukrainën, dhe me partnerët tanë në Indo-Paqësor”, lidhur me këto zhvillime, dhe ka paralajmëruar se do të diskutojë në këtë temë me presidentin e Koresë së Jugut dhe ministrin ukrainas të Mbrojtjes.

“Ne vazhdojmë të monitorojmë situatën nga afër”, ka thënë ai.

SHARE