Në progres-raportet që miratohen në Bruksel në fund të këtij muaji, por drafti i të cilave është parë nga REL, Komisioni Europian do të kërkojë nga Kosova dhe nga Serbia që, pa vonesa, të hedhin hapa për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve mes tyre, e njohur si Marrëveshja e Ohrit, si dhe të detyrimeve të tjera, të dala nga procesi i dialogut.
Të dyja palëve u rikujtohet se rrugëtimi i tyre drejt BE-së është i kushtëzuar me procesin e normalizimit të raporteve qe tani eshte edhe zyrtarisht detyrim për të dy vendet. Në draft theksohet se Prishtina e Beogradi kanë marrë pjesë në dialog, por nga to kërkohet që të demonstrojnë më seriozisht dhe në mënyrë më konstruktive përkushtim për të ecur përpara.
Kosovës dhe Serbisë u kërkohet që t’i shmangin veprimet dhe retorikën nxitëse, që rrezikojnë stabilitetin dhe nuk janë në përputhje me dialogun dhe pajtimin. Si pengesë në procesin e normalizimit përmendet mungesa e hapave nga ana e Serbisë për të nxjerrë para drejtësisë autoret e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, por edhe mungesa e hapave konkretë nga Kosova për të nisur procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
“Procesi i normalizimit të marrëdhënieve vazhdon të ndikohet nga mungesa e hapave të mjaftueshëm nga ana e Serbisë për të siguruar përgjegjësi dhe për të nxjerrë para drejtësisë përgjegjësit për sulmet e dhunshme nga serbët e armatosur të Kosovës ndaj Policisë së Kosovës, më 24 shtator, 2023, në Banjskë, që ishin përshkallëzimi më i rëndë në vitet e fundit”, theksohet më tej, teksa insistohet qe Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë masa të domosdoshme për t’i kapur dhe për t’i nxjerrë shpejt para drejtësisë autoret e këtyre sulmeve.