Procesi i integrimit në BE është një proces i njëkohshëm, i cili kryhet në të gjitha fushat në të njëjtën kohë, tha ambasadorja e BE-së në Mal të Zi Oana Kristina Popa. Ajo theksoi se nuk është e mundur të bëhen reforma në fushën e ekonomisë dhe të lihen për më vonë korrupsioni dhe krimi i organizuar apo ndonjë fushë tjetër, por duhet të bëhet gjithçka njëkohësisht. “Ne jemi të vetëdijshëm se kjo është jashtëzakonisht e vështirë. Por ky është qëllimi i negociatave të anëtarësimit. Që vendet kandidate praktikojnë realisht vlerat evropiane dhe se kur vendi bëhet anëtar, praktikon vërtet vlerat e promovuara nga BE-ja”, tha Popa duke shtuar se është jashtëzakonisht i rëndësishëm fakti që ka mbështetje të padiskutueshme publike për procesin e anëtarësimit të Malit të Zi në Bashkimin Evropian.
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Mal të Zi, Judy Rising Rajnke, foli për rëndësinë e institucioneve, ndërtimin e integritetit të tyre, si dhe për stabilitetin në shoqërinë malazeze, si në kontekstin e kërcënimeve reale ashtu edhe në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës. Ajo shtoi se SHBA-të e mbështesin plotësisht rrugën e rajonit drejt BE-së dhe se është e nevojshme që elitat politike në Mal të Zi të zbatojnë me vendosmëri reformat. Ajo kujtoi se në këtë moment është e nevojshme që shoqëria malazeze t’i plotësojë tri kërkesat kryesore.”Emërimi i anëtarëve të këshillit gjyqësor, emërimi i gjyqtarëve të gjykatës kushtetuese dhe emërimi i prokurorit suprem të shtetit janë tre gjëra kyçe për të cilat politikanët malazezë duhet të punojnë dhe ata mund ta bëjnë këtë vetëm nëse e lënë mënjanë politikën,” – përfundoi Rajnke.