STUDIMI I UMZ: KONSUMI I ANTIBIOTIKËVE NË MAL TË ZI ËSHTË 75 PËR QIND MË I LARTË SE MESATARJA E BE-së

Foto: Shutterstock

Një studim i fundit nga studiues të Universitetit të Malit të Zi dhe Qendrës Klinike ka zbuluar se Mali i Zi është larguar ndjeshëm nga rekomandimet e BE-së sa i përket përdorimit jashtëspitalor të antibiotikëve. Në vitin 2022, ky përdorim ishte 75% më i lartë se mesatarja e BE-së.

Ndër vite, përdorimi i antibiotikëve në kujdesin parësor është rritur me 71%, ndërsa përdorimi i disa antibiotikëve si azitromicina, cefiksimi dhe ciprofloksacina është më shumë se dyfishuar. Përkundrazi, përdorimi i penicilinave natyrale është zvogëluar ndjeshëm.

Autorët e studimit theksojnë se në Mal të Zi përdoren gjithnjë e më shumë antibiotikë me spektër të gjerë, që duhen rezervuar për raste rezistence ndaj antibiotikëve bazë, duke rritur rrezikun për zhvillimin e rezistencës antimikrobike, efekte të padëshiruara dhe shpenzime më të mëdha për pacientët dhe sistemin shëndetësor.

Ndërsa BE rekomandon që 65% e antibiotikëve të jenë nga grupi Access (linja e parë), në Mal të Zi ka rënë nga 73% në vitin 2000 në 50% në 2022. Vetëm Greqia kishte një përdorim më të lartë se Mali i Zi në të njëjtin vit.

Autoret theksojnë se objektivat e BE-së mund të arrihen deri në vitin 2030, nëse ndërmerren masa të shpejta si:

  • Edukimi i qytetarëve për përdorimin e duhur të antibiotikëve;
  • Parandalimi i vetë-mjekimit;
  • Kontroll më i fortë në përshkrimin dhe shpërndarjen e antibiotikëve;
  • Rishikimi i udhëzimeve kombëtare për trajtimin e infeksioneve;
  • Informimi i rregullt i mjekëve për rezistencën bakteriale;
  • Fushata publike për ndërgjegjësim.
SHARE