“Sot bota shikon me tmerr teksa situata në territoret palestineze vazhdon të përkeqësohet në nivele të papara në historinë e kohëve të fundit,” tha Ramiz Alakbarov, Zëvendës Koordinator Special i OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme.
Ai tërhoqi vëmendjen tek situata në rajon, duke u përqendruar në Gazën, e cila, sipas tij, po “zhytet gjithnjë e më thellë në katastrofë, me një bilanc në rritje të shpejtë të viktimave në radhët e civilëve, zhvendosje masive dhe, tani, me armën e urisë, ndërsa këtij konflikti nuk i shihet fundi.”
Ai shtoi se po flasim për një popullsi që tashmë lufton për të mbijetuar. Palestinezët në Gaza po i shohin frikërat e tyre më të këqija të bëhen realitet para syve të tyre.
Operacionet ushtarake të zgjeruara në Qytetin e Gazës do të kenë pasoja katastrofike, duke përfshirë zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve.
Alakbarov raportoi se sulmet ushtarake izraelite janë intensifikuar në të gjithë Rripin e Gazës, duke shënjestruar tendat që strehojnë persona të zhvendosur, shkolla, spitale dhe ndërtesa banimi.
Që nga 23 korriku, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë, janë vrarë mbi 2,500 palestinezë. Prej tyre, të paktën 270 kanë humbur jetën duke tentuar të marrin ushqim, shumë prej të cilëve janë qëlluar pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave.
Ndërsa që nga nisja e konfliktit më 7 tetor 2023, raportohet se janë vrarë më shumë se 240 gazetarë.
“Gjatë vizitës sime të fundit në Gaza, u befasova nga shkalla e shkatërrimit dhe vuajtjeve. Takova punonjës humanitarë që rrezikonin jetën e tyre për të ofruar ndihmë, ndërkohë që vetë jetonin në kushte të patolerueshme,” theksoi Alakbarov.