Foto: Ilustrim
Bashkimi Evropian do të nisë nga 12 tetori një sistem të ri elektronik për evidentimin e hyrjeve dhe daljeve të shtetasve nga vendet e treta, përfshirë edhe qytetarët e Malit të Zi.
Edhe pse udhëtimet do të mbeten pa viza, në pikat kufitare do të zbatohet një procedurë e re e regjistrimit biometrik, që përfshin marrjen e gjurmëve të gishtërinjve dhe fotografimin e fytyrës.
Ky sistem synon të modernizojë dhe përshpejtojë kalimin në kufi, duke e bërë atë më të sigurt dhe më efikas.
Ivan Ivanisheviq nga Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi tha se: “në vend të dorëzimit klasik të pasaportës tek policia kufitare, qëllimi është që përmes marrjes së fotografive dhe gjurmëve të gishtërinjve të krijohet një sistem më i sigurt, më i shpejtë dhe më i lehtë për kalimin e kufirit, si në hyrje, ashtu edhe në dalje.”
Ai shtoi se për qytetarët malazez nuk ka ndryshime thelbësore, pasi “ata do të vazhdojnë të udhëtojnë pa viza në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, përveç Irlandës, Qipros, Islandës, Norvegjisë, Zvicrës dhe Lihtenshtajnit.”
“Ky ndryshim nuk duhet të ketë ndonjë ndikim të veçantë për qytetarët tanë. Sistemi i regjimit pa viza mbetet në fuqi, ndërsa kontrollet kufitare do të thjeshtësohen dhe pritet që pritjet në pikat kufitare të jenë më të shkurtra,” theksoi Ivanisheviq.
Në dy muajt e parë të funksionimit, sistemi do të përdorë vetëm vulën elektronike pa biometrikë, ndërsa pas gjashtë muajsh pritet zbatimi i plotë me regjistrim biometrik në të gjitha vendet e zonës Shengen. Ivanisheviq gjithashtu theksoi se sistemi “do të regjistrojë datën dhe orën e hyrjes në territorin e Bashkimit Evropian, si dhe do të ketë evidencë të saktë për momentin kur personi del nga territori i BE-së.”
Rregulli kryesor për qytetarët e Malit të Zi mbetet i njëjtë: ata mund të qëndrojnë deri në 90 ditë brenda një periudhe gjashtë mujore në zonën e Bashkimit Evropian. Sistemi i ri do të sigurojë kontroll më të rreptë mbi këtë afat.
Në fazat e ardhshme pritet të futet edhe sistemi i njoftimit paraprak të udhëtimit.