Presidenti ukrainas, Volodimir Zelenski, iu përgjigj thirrjeve të një senatori amerikan këtë javë për të shpallur zgjedhjet në 2024 dhe tha se votimi mund të mbahet edhe në kohë lufte nëse partnerët ndajnë koston, nëse ligjvënësit japin miratimin dhe të gjithë shkojnë në qendrat e votimit.
Zgjedhjet aktualisht nuk mund të mbahen në Ukrainë, ku është në fuqi gjendja e luftës, e cila duhet të zgjatet për cdo 90 ditë dhe ajo në fuqi skadon më 15 nëntor, pas datës së rregullt të zgjedhjeve parlamentare që duhej të mbaheshin në tetor por para zgjedhjeve presidenciale që normalisht duhej të mbaheshin në mars 2024.
Ligjvënës të lartë amerikanë vizituan Kievin më 23 gusht, mes tyre edhe senatori Lindsey Graham, që lëvdoi luftën e Kievit kundër presidentit rus Vladimir Putin por tha se vendi duhet të tregojë se është krejt ndryshe mbajtja e zgjedhjeve në kohë lufte.
Zelenski në një intervistë televizive, tha se e kishte diskutuar cështjen me Gragam, përfshirë edhe financimin e zgjedhjeve dhe nevojën për të ndryshuar ligjin.
“I dhashë Lindseit një përgjigje shumë të thjeshtë dhe të shpejtë”, tha ai.
“Ai ishte shumë i kënaqur me të. I takon ligjvënësve tanë të vendosin”. Zelenski tha se kushton 135 milionë dollarë mbajtja e zgjedhjeve në kohë paqeje.
“Nuk e di se sa më shumë duhen në kohë lufte”, tha ai.
“Ndaj i thashë se nëse SHBA dhe Evropa ofrojnë mbështetje financiare, mund ta bëjmë. Unë nuk do të marr paratë për armët për të bërë zgjedhje. Kjo është e vulosur me ligj,“ – tha Zelenski duke shtuar se i kishte thënë Graham se vëzhguesit e zgjedhjeve do të duhej të hynin në llogore.