Përfaqësuesi i Bashkimit Euripian për lehtësimin e dialogut mes Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lajçak, është takuar me presidenten Vjosa Osmani në Forumin Europian të Alpbach-ut në Austri.
Lajmin e ka dhënë vetë Lajçak, që ka postuar edhe foto me presidenten e Kosovës në platformën sociale ‘X’.
Gjithashtu, duke zbuluar detaje nga agjenda e tij e ngarkuar, përfaqësuesi i BE-së për negociatat mes Kosovës dhe Serbisë ka konfirmuar se këtë javë do të ketë takim me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksander Vuçiç.
“Ndërsa ritmi në Bruksel u ngadalësua gjatë verës, sfidat në Ballkanin Perëndimor nuk u zhdukën. Një fushë e veçantë që ka mbetur lart në agjendën time është situata në veri të Kosovës. Unë do të udhëtojë në Alpbach, Bled dhe Beograd, ku do të takohem me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiç, por edhe me një numër të partnerëve, miqve dhe ekspertëve për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe politikën globale”, shkroi Lajçak.
Pas normalizimit të situatës në veri të Kosovës, Bashkimi Europian është në pritje që Kosova të shpallë zyrtarisht zgjedhjet e reja në katër komunat me shumicë serbe atje. Gjithashtu pritet të rinisin negociatat e ndërprera në maj mes Kurtit dhe Vuçiçit, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.