DEPUTETËT QË KRYEJNË FUNKSIONE TË DYFISHTA DUHET JAPIN DORËHEQJE

Një muaj pas seancës konstituive të Kuvendit, u krijohet detyrimi ligjor deputetëve të zgjedhur në mbledhjen e re, por tashmë që kryejnë veprimtari të tjera publike, të japin dorëheqjen nga një prej posteve të tyre.

Nga Kuvendi thanë se sot skadon afati për dorëheqje, ndërsa Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit njoftoi se do të iniciojë procedurë ndaj atyre që nuk respektojnë ligjin.

Deputetët që shkelin ligjin në këtë mënyrë në katër vitet e ardhshme nuk mund të emërohen në poste publike, sqarojnë ekspertët. Sistemi legjislativ i Malit të Zi e ka njohur prej kohësh parimin e papajtueshmërisë së funksioneve, shpjegon avokati Mlladen Tomoviq.

“Është paraparë një periudhë prej 30 ditësh në të cilën një person që mban dy pozita të papajtueshme duhet të japë dorëheqjen nga një prej pozitave”, sqaroi ai.

Meqenëse afati prej 30 ditësh nga mbajtja e seancës konstituive bie në ditë jopune, nga Kuvendi theksuan se do të shtyhet deri në ditën e parë të punës, që është nesër.

SHARE