OSMANI: KATASTROFA HUMANITARE NË GAZA DHE VUAJTJET E CIVILËVE DUHET TË MARRIN FUND

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se fëmijët janë ata që vuajnë më shumë nga katastrofa humanitare në Gaza, ku Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij, duke bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të sulmeve, transmeton Anadolu.

Osmani ka bërë një postim në llogarinë e saj në X, ku ka tërhequr vëmendjen në situatën e fundit në Gaza.

“Fëmijët nuk fillojnë kurrë luftëra! Por, ata vuajnë më së shumti dhe mbajnë pasojat më të mëdha të çdo konflikti. Katastrofa humanitare në Gaza dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm, veçanërisht fëmijëve, janë zemërthyes dhe duhet të marrin fund. Çdo fëmijë, çdo familje, pavarësisht kombësisë apo fesë, është e çmuar dhe duhet të mbrohet”, theksoi Osmani.

Duke shprehur mbështetjen e tyre të plotë ndaj përpjekjeve për armëpushim të udhëhequra nga SHBA-ja, Katari dhe Egjipti, që përfshin përpjekjet për lirimin e menjëhershëm të të gjithë pengjeve, Osmani potencoi se sigurimi i aksesit në ushqim, ujë dhe ilaçe për më të prekshmit duhet të mbetet një përparësi kryesore për të lehtësuar vuajtjet e shkaktuara nga lufta midis të pafajshmëve.

“Kosova vazhdon të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare që synojnë arritjen e një të ardhmeje të drejtë, të qëndrueshme dhe paqësore, ku si izraelitët ashtu edhe palestinezët mund të jetojnë me dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë, me një angazhim të përbashkët për mbrojtjen e jetës njerëzore. Derisa të realizohet kjo e ardhme, duhet të bëhet çdo përpjekje për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve të pafajshme dhe për të lehtësuar vuajtjet e të gjithë njerëzve”, shkroi presidentja e Kosovës.

SHARE