Gjatë 24 orëve të fundit në Shqipëri janë evidentuar dhjetëra vatra zjarri, ndërkohë 17 vatra janë ende aktive në disa bashki, ndërkohë vazhdojnë operacionet për shuarjen e tyre, transmeton Anadolu.
Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 34 vatra zjarri, ku disa prej tyre janë shuar.
Sipas ministrisë, operacionet në terren vijojnë pa ndërprerje për izolimin dhe kontrollin e flakëve.
Ndërkohë, gjatë ditëve të fundit janë evakuuar banorët e disa fshatrave për shkak të rrezikut nga zjarret dhe disa punonjës të policisë, zjarrfikësve dhe banorë kanë mbetur të lënduar apo asfiksuar gjatë operacioneve për shuarjen e zjarreve.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve janë angazhuar Forcat e Armatosura të Shqipërisë, automjete zjarrfikëse, forca bashkiake, vullnetarë dhe forca të tjera operacionale.
Në ndihmë për shuarjen e zjarreve në Shqipëri në ditët e fundit janë angazhuar edhe avionë nga Italia, Greqia, Kroacia dhe Hungaria, në kuadër të Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile.
Gjithashtu dronët turq “Bayraktar” TB2, që janë pjesë e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, janë përfshirë në operacionet e monitorimit të situatës nga zjarret në Shqipëri.
Sipas Institutit të Gjeoshkencave të Shqipërisë, sa i përket rrezikut për zjarre, sot dhe nesër pritet nivel rreziku “i lartë” në qarqet Elbasan, Fier, Berat dhe Korçë, ndërsa në qarqet e tjerë pritet nivel rreziku “i moderuar”.
Sipas institutit, sot dhe nesër pritet një ulje e temperaturave në krahasim me ditët e kaluara.