MILLATOVIQ SHPALLI SETIN E RI TË LIGJEVE ZGJEDHORE – KËRKOHET VAZHDIMI I REFORMËS GJITHËPËRFSHIRËSE

Foto: predsjednik.me

Presidenti i Malit të Zi ka nënshkruar dekretet për shpalljen e disa ligjeve zgjedhore të reja, përfshirë ndryshimet në Ligjin për zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, Ligjin për vetëqeverisjen lokale dhe Ligjin për financimin e subjekteve politike dhe fushatave zgjedhore.

Ai përshëndeti fillimin e reformës së legjislacionit zgjedhor, por theksoi se duhej të ishte kërkuar mendimi i Komisionit të Venecias, për shkak të natyrës dhe rëndësisë së ndryshimeve të miratuara.

Presidenti vuri në dukje se me ligjet e reja është parashikuar profesionalizimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe janë bërë disa përmirësime të rëndësishme krahasuar me versionet e mëparshme të projektligjeve.

Është hequr neni që parashikonte pezullimin e të drejtës për zgjedhje të parakohshme lokale, çka tani mundëson mbajtjen e tyre në të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Një nga ndryshimet më të rëndësishme është përfshirja e detyrimit që së paku 40% e kandidatëve në listat zgjedhore të jenë gra, një hap i rëndësishëm drejt barazisë gjinore.

Sipas ligjit të ri, zgjedhjet e para të përgjithshme lokale do të mbahen më 13 qershor 2027.

Megjithatë, presidenti ngriti shqetësime lidhur me mënyrën e zbatimit të kësaj mase, e cila zgjat mandatin e disa vetëqeverisjeve lokale për më shumë se një vit, veçanërisht në Cetinë, Mojkovc dhe Petnicë.

Ai theksoi se kjo mund të jetë në kundërshtim me standardet demokratike dhe se krijon precedent për vonesa të ardhshme të bazuara në marrëveshje politike.

Presidenti rikujtoi se edhe më parë, në maj 2022, zgjedhjet lokale u shtynë me vendim politik, duke cenuar parimin e rregullsisë së cikleve zgjedhore dhe duke minuar besimin e qytetarëve në sistemin zgjedhor.

Ai gjithashtu theksoi se reformat kyçe ende nuk janë përfshirë, si: listat e hapura, mundësia për kandidatë të pavarur, zgjedhja e drejtpërdrejtë e kryetarëve të komunave, përmirësimi i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, parandalimi i abuzimit të burimeve shtetërore në fushata dhe përmirësimi i listave të votuesve.

Në përfundim, Presidenti kërkoi nga Komisioni për Reformën Gjithëpërfshirëse Zgjedhore që të përshpejtojë punën, me ndihmën e BE-së, në mënyrë që reformat të kompletohen dhe zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.

SHARE